close

  • To serve Poland – to build Europe – to understand the world

     

  • CULTURE AND SCIENCE

  • 9 January 2015

    Article of Mrs. Teresa Garbacik-Jeziorska, Spouse of Ambassador of Poland, on Christmas tradition in Poland – on the pages of popular “Elite” magazine.

    Disa fjalë  mbi Krishtlindjet në Poloni

     

    Krishtlindjet në Poloni festohen solemnisht dhe hareshëm. Përbëjnë një festë familjare, mes njerëzish të afërm, janë veçanërisht të pëlqyeshme nga më të vegjëlit. Është për këtë arsye të fundit që me rritje kujtohet gjallërisht atmosfera e festës, shija e gatimeve, aroma prej pylli e pemës së Vitit të Ri, të kënduarit e kolendave. Më e veçanta në të gjithën për Polakët është Vigjilja (nga latinishtja: vigjilencë, pritje), çka festohet në mbrëmjen që paraprin Krishtlindjet, do të thotë më 24 dhjetor. Për darkën e vigjiljes njerëzit ulen në tryeyë me të rënë muzgu, në çastin kur shfaqet në qiell ylli i parë, simboli i Yllit të Betlejemit, i cili ka shoqëruar lindjen e Jezusit. Silla paraprihet nga çasti solemn i  shkëmbimit të ostesë së bardhë të kungimit dhe formulimit të urimeve. Në tryezën shtruar me mbulesë të bardhë tradicionalisht lihet një vend bosh për mysafirin e papritur. Zakoni i vjetër polak thotë të ftohen në këtë mbrëmje njerëzit e vetmuar me idenë që askush nuk duhet të ndihet i braktisur dhe për këtë shkak i trishtuar. Darka e vigjiljes është sillë posti (nuk konsumohet mish!), është megjithatë shumë e larmishme. Në shumë shtëpi, njëlloj si qëmoti, në tavolinë shtrohen 12 lloje gjellërash- referuar numrit të apostujve dhe muajve të vitit. Ndër to dominojnë gatimet me peshk të ujërave të ëmbla, para së gjithash gatimet e llojllojshme të krapit ( psh me salcën gri, të quajtur ndryshe salca polake), ka gjithashtu gatime me një lloj merluci dhe mlyshi. Dikur gatuhej merluci në stilin hebre, kuzhina e vjetër polake ka përdorur recetat e gatimeve të famshme të kuzhinës së çifutëve polakë. E detyrueshme për shumë familje është supa me rrepë të kuqe kombinuar me këpurdha. Në shumë rajone të Polonisë serviret supa me këpurdha, por edhe, ndonëse më rrallë, supa me bajame.  Prania në gatime e  bakaljeve, lulëkuqes, mjaltit dëshmon ndikimin e kuzhinës orientale. Në tryezë nuk mund të mungojnë lakra e vigjiljes me këpurdha apo bizele, kuleçët e vegjël të mbushur me lakër, kutja (një lloj kabunije) që vjen nga një traditë e hershme polake dhe që ka në përbërje grurë, lulëkuqe, mjaltë dhe bakalje, nuk mund të mungojë poashtu kompostoja me fruta të thata (para së gjithash kompostoja e kumbullës). Natyrisht që ka edhe ëmbëlsira të ndryshme, kryesisht në trajtë keku. Aromat dhe shijet e darkës së vigjiljes për shumë polakë të rritur nuk janë gjë tjetër veç rikthim tek kujtimet më të bukura të fëmijërisë, sikundër rikthim tek aroma e embëlsirës proustiane.

     

     

    Kjo darkë ka edhe një gëzim tjetër që vjen nga dhuratat e Vitit të Ri, të cilat vendosen poshtë Pemës së Vitit të Ri, e cila duhet të jetë detyrimisht natyrale prej bredhi apo pishe. Veç dhuratave në ditën e Shën Kollit, 6 dhjetor, ky është rasti i dytë i mirëpritur për t’u bërë dhurata të afërmëve. Zakoni i zbukurimit të pemës së Vitit të Ri në Poloni ka ardhur nga Gjermania e shekullit XVIII. Më herët, maja e stolisur e bredhit ose e pishës varej në tavan. Ndërsa në një qoshe vendosej një tufë e vogël kashte që simbolizon bollëkun dhe mbrothësinë.

     

    Me Krishtlindjet në Poloni lidhen edhe një varg bestytnish të vjetra,  pjesërish tende të gjalla kryesisht në fshatin polak. Ndër to edhe një që vazhdon të jetë e gjallë  sot e gjithë ditën dhe që thotë se më 24 dhjetor në mesnatë kafshët flasin me zë njeriu...

     

     

    Momenti i bukur vjen kur pas sillës fillojmë të gjithë të këndojmë kolenda. Kolendat polake, përgjithësisht shumë të vjetra (më e vjetra daton në vitin 1420), përfaqësojnë një stilizim të këngëve të vjetra popullore me ato fetare, në to ndihet ritmi i mazurës, oberkës, polonezes dhe këngës tipike krakoviane. Melodia e kolendës Lulajże, Jezuniu...ndihet në Scherzo h-moll të Frederik Shopenit.

     

    Krakovi, qyteti im dhe i bashkëshortit,  shquhet për tradita mjaft të pasura dhe legjenda lokale. Në dhjetor, para Krishtlindjeve, në Tregun Kryesor, zhvillohet konkursi i shtëpisë më të bukur prej kashte, të cilat jo rrallë qëllojnë të jenë kryevepra të artit popullor. Tradita e kashtareve të Krishtlindjeve ka mbërritur nga kohët e Shën Françeskut dhe figurinave italiane, e mbartur në tokën polake nga urdhërat françeskanë të shekullit XIII.

     

     

    Deri pak kohë më parë në fshatin polak ekzistonte edhe zakoni i shëtitjes nëpër shtëpi të rapsodëve të kolendave, të cilët mbanin në majë të një shkopi një yll shumëngjyrësh dhe këndonin kolenda.

     

    Element i rëndësishëm i hyrjes në atmosferën e Krishtlindjeve në Poloni është pjesëmarrja në meshën që në Poloni quhet Pastorale dhe që  shërbehet në kisha në mesnatën e 24 duke u gdhirë 25 dhjetori. Është në përkujtim të lutjes së pastorëve në Betlejem që po prisnin lindjen e Jezusit.

     

    Në ditët që pasojnë Krishtlindjet hahet bollshëm, në tryezë kësaj radhe gjendet edhe mishi. Dita e parë e Festës kalohet në shtëpi, me të afërmit. Ditën e dytë bëhen vizita në miq e shokë.

     

    Për të provuar shijen dhe koloritin e Festave të pashoqe polake, në tisin e bardhë të borës, më e udhës do të ishte të shkohet në Poloni!

     

    Wesołych Świąt! Gëzuar!

     

     

    Teresa Garbacik-Jeziorska

     

     

     

    Print Print Share: